Këto janë ushqimet që ju ofrojn një rini të përjetshme…

Kolagjeni është një proteinë që trupi e prodhon natyralisht. Ajo është e rëndësishme për ruajtjen e shëndetit dhe gjallërisë së lëkurës. Kolagjeni gjendet në çdo organ të trupit, përfshirë kocka, lëkurë, ligamente dhe kërce.
Kolagjeni bashkëpunon me proteinën elastinë për të ruajtur elasticitetin e indeve. Ai ka nevojë për shumë aminoacide, ndërkohë që inflamacioni ka aftësinë ta shkatërrojë. Fibrat e kolagjenit përfitojnë shumë nga dy aminoacide: lysina dhe prolina por edhe nga ushqyes të tjetër siç është vitamina C.

Kolagjeni gjendet poshtë shtresës së jashtme të lëkurës. Ai është baza e indeve lidhorë që mbështesin të gjithë strukturën e lëkurës, ndaj është thelbësor për një lëkurë rinore. Me kalimin e moshës, trupi prodhon gjithnjë e më pak kolagjen, ndërkohë që lëkura hollohet duke i çelur rrugën rrudhave.
Dielli, ndotja, radilalet e lira dhe duhanpirja, janë gjithashtu përgjegjës për rënien e sasisë së prodhuar të kolagjenit. Trupi prodhon vazhdimisht kolagjen për të riparuar dëmet, por pas moshës 35-40 vjeçare, prodhimi dhe cilësia e tij zbehet. Lajmi i mirë është se, përveç trajtimeve kozmetike, ushqimi është një tjetër burim i pasur me kolagjen.
Ekspertët thonë se prodhimi i kolagjenit është në varësi të nivelit të përshtatshëm të aminoacideve, 9 prej të cilave nuk prodhohen nga trupi dhe duhen marrë nëpërmjet ushqyerjes. Burimet shtazore siç janë shpendët, peshku, djathi, qumështi dhe vezët arrijnë të plotësojnë kërkesën për nëntë aminoacide.

Antocianidina: Frutat e pasura me bioflavonoidinë dhe antocianidinë mbështesin indet lidhore dhe fibrën e kolagjenit. Ato gjenden në ushqimet me ngjyrë të kuqe ose vjollcë siç janë qershitë, manaferrat dhe boronicat e kuqe. Antocianidina rrit nivelet e vitaminës C në qeliza, mbron kundër dëmeve të shkaktuara nga radikalet e lira dhe parandalon shkatërrimin e kolagjenit në lëkurë.

Ushqyesit e nevojshëm Vitamina C dhe bakri janë të rëndësishëm për prodhimin e kolagjenit dhe riparimin e indeve. Konsumoni ushqime të pasura me vitaminë C siç janë kivi, brokoli, sallata e ujit, portokalli, speci, pjepri dhe lulerradhiqe.